Gratë në sundimin e ligjit

Drita Hajdari: Të heshtësh është krim

02 mars 2017

Qofshin ato bjeshkët e Kosovës, fushat e Shqipërisë, apo liqenet e Malit të Zi, zonja Drita Hajdari i eksploron të gjitha ato. Adhuruese e natyrës, Dritës i pëlqen të ecë nëpër natyrë, dhe këtë e praktikon pothuajse çdo fundjavë. Gjersa flet me vetëpërmbajtje rreth aktiviteteve dhe përjetimeve të saj në natyrë, shoqëruar me të qeshur dhe ngrohtësi, askush nuk do të paramendonte se ajo heton dhe ndjek penalisht çështjet më sfiduese dhe problematike të Kosovës. Zonja Drita Hajdari punon si prokurore në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Me veshje pedante, me vetëbesim dhe përkushtim të plotë, Drita e nisë udhëtimin e saj të drejtësisë për çdo mëngjes. 

Ajo është prokurorja e parë vendase që ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër një politikani të lartë në Kosovë. 

“Kam vijuar studimet në fakultetin juridik dhe u bëra prokurore për t’u marrë me krime që pak kush i zgjedhë t’i ndjekë penalisht. Unë merren me raste për të cilat besoj fuqishëm se kanë nevojë të trajtohen. Kësaj shoqërie i nevojitet sundimi i ligjit. Të ngritesh kundër krimeve të rënda në Kosovë dhe të jesh zë i drejtësisë është nderë. Kjo më mbanë të motivuar çdo ditë,” thotë Drita.   

Duke iu shmangur bisedave rreth detajeve të punës së saj të përditshme, meqë ajo merret me çështje shumë të ndjeshme, ajo duket shumë ambicioze dhe e përkushtuar gjersa flet rreth drejtësisë. 

Rrugëtimi në gjyqësor i zonjës Hajdari filloi që në vitet e tetëdhjeta. Një vit pas diplomimit nga fakulteti juridik në vitin 1983, ajo filloi të punonte fillimisht si gjyqtare. 

Zonja Hajdari punoi si gjyqtare deri në vitin 1990, kur edhe filloi kriza në ish-Jugosllavi. Edhe pse ajo asnjëherë nuk e kishte paramenduar se do ta ndryshonte profesionin, ajo vendosi ta braktiste bankën e gjyqtares për t’u bërë avokate. Ajo ishte e përcaktuar që të fliste në emër të atyre që nuk mund të flisnin për veten. Ajo punoi si avokate për disa vite në kohëra dhe kushte shumë të vështira. 

Kur e kujton kohën kur punonte si gjyqtare në ish-Jugosllavi, ajo thotë se dallimi kryesor i sistemit gjyqësor aktual dhe atij të asaj kohe është se përgjegjësinë për të dëshmuar krimin në gjykatë tani e ka prokurori. Kur i shpjegon betejat e panumërta që i ka luftuar në gjykatë, me këmbëngulje thekson se suksesi i rasteve nuk varet vetëm prej prokurorit, siç e thonë shumë të tjerë. “Kërkesa për zhvillim të hetimeve, ndërprerja e hetimeve, ngritja e aktakuzës, e të tjera, janë suksese përgjatë procedurës. Këto kërkojnë përpjekje të mëdha nga të gjitha palët, pavarësisht epilogut. Të gjitha këto procese duhet të sigurojnë qasje në drejtësi dhe procedura të drejta, dhe ky është sukses në sundimin e ligjit” thekson Drita. 

Menjëherë pas krizës në Kosovë ajo u emërua prokurore, në kohën kur i tërë sistemi i drejtësisë administrohej prej Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Meqë para konfliktit ajo kishte jetuar në Mitrovicë dhe gjatë krizës i kishte humbur të gjitha, përfshirë shtëpinë dhe të gjitha gjërat, ajo u zhvendos në Prishtinë dhe në vitin 1999 e nisi çdo që nga fillimi. Por asgjë nuk e ndali të ndiqte atë që ajo e besonte se ishte e drejtë. 

Kushtet e punës për prokurorët dhe gjyqtarët menjëherë pas luftës në Kosovë ishin shumë të vështira. “Punën si prokurore e lash me dhimbje, por ishte e pamundur t’ia dilje me të ardhurat e prokurorit menjëherë pas luftës,” kujton Drita. 

Megjithatë, ishte e entuziazmuar që prapë të përqafonte rrugëtimin e saj në drejtësi, dhe vazhdoi karrierën me Kombet e Bashkuara, në njësinë e inspektimit gjyqësor. Si pjesë e asaj njësie, ajo ndihmoi në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për themelimin e Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës. 

Ajo punoi me Kombet e Bashkuara deri në vitin 2008, kur iu bashkëngjit një projekti të USAID-it për sundimin e ligjit, për të punuar vetëm dy vite aty. Në vitin 2010 Drita vendosi t’i kthehej profesionit që e mbante në zemër. “Gjatë gjithë atyre viteve pas luftës, kur e lash punën e prokurorisë dhe fillova të punoja për OKB-në, çdo ditë i thosha vetës se do të kthehesha në prokurori.” thotë Drita. 

Pas një procesi shumë të gjatë dhe sfidues të ri-emërimit, ajo u caktua si prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Gjatë punës së saj në Prokurorinë Themelore të Prishtinë, ajo e udhëhoqi betejën kundër korrupsionit dhe u zgjodh si koordinatore nacionale kundër korrupsionit. E trajnuar për të trajtuar krime kaq të rënda, ajo ishte e vetmja që merrej me raste të korrupsionit në Prishtinë për një kohë shumë të gjatë. “Çdo gjë ndodhë në Prishtinë. Të gjitha institucionet janë këtu. Pra ju mund ta paramendoni ngarkesën e punës dhe sfidat e rasteve me që cilët jam marrë çdo ditë” shpjegon Drita, duke shtuar se pavarësisht stresit dhe vështirësive, ajo merrte kurajë prej rezultateve konkrete. 

Që nga viti 2013 kur u emërua si prokurore speciale, ajo gjithnjë ka qenë në kërkim të një sfide të re. Është shtyrje e adrenalinës profesionale, shpjegon ajo. Gjatë katër viteve të fundit, çdo ditë ka luftuar krime të rënda. Nga korrupsioni, deri tek terrorizmi dhe krimet e organizuara – Drita nuk njeh kufi. Si luftëtare e vërtetë, ajo asnjëherë nuk ndalon së luftuari për drejtësi. “Mua më shtyjnë sfidat. Ato më motivojnë.  Unë zgjohem çdo mëngjes, rikujtoj dhe i premtoj vetes se më duhet të jem e qetë, por momentin që hy në gjykatore, të gjitha premtimet dhënë vetes zhduken,” thotë Drita.

Ajo e merr çdo rast afër zemrës dhe tërë energjitë i fut aty. Me plot dosje në duar dhe e përcaktuar të arrijë sukses, ajo shndërrohet në zjarr menjëherë pasi hyn në gjykatë. 

Përvojat e ndryshme ligjore të Dritës i kanë ndihmuar që ajo të analizojnë secilin rast nga perspektiva të ndryshme: “Tani kur punoj në ndonjë rast, kam përparësinë e analizimit si prokurore, si gjyqtare dhe si avokate. Kjo më ndihmon tej mase,” thekson ajo.  

Përgjatë karrierës së saj, Drita ka patur rast të punojë me shumë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë ndërkombëtarë. Me vlerësim ndaj kontributit të tyre të skajshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, ajo fuqishëm beson se tani ka ardhur koha që kosovarët t’i marrin punët përsipër. “Unë mendoj se ne vet duhet të kujdesemi për këtë vend,” thotë ajo me vendosmëri. 

Pavarësisht të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën e sundimit të ligjit, Drita është në favor të bartjes së kompetencave nga ndërkombëtarët tek autoritetet e vendit. Ndërhyrjet, kërcënimet, deklaratat publike të zyrtarëve rreth proceseve gjyqësore në vazhdim e sipër, metodat e sofistikuara të shantazhit dhe frikësimit janë shumë prej shqetësimeve që Drita i ngritë. Megjithatë, ajo ka besim të madh se me disa investime financiare në paga dhe sigurim shëndetësor, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës mund të marrin tërë përgjegjësitë përsipër. 

Kur kthehet tek vitet e adoleshencës, Dritës i kujtohet se si e tërë familja e saj e quanin avokate. “Tërë jetës kam luftuar për drejtësi dhe barazi. Gjithmonë e kanë ruajtur parimin e drejtësisë. Kam luftuar për idealet e mia dhe gjithnjë kam besuar në rëndësinë e drejtësisë,” thotë ajo. 

Lufta e saj e vazhdueshme me padrejtësitë dhe pabarazitë është ajo që e mbanë të motivuar. “Nuk mund të heshti rreth gjërave që bëhen gabim. Njerëzit më kritikojnë për mungesë të shkathtësive diplomatike, por kjo unë jam. Kështu jam lindur. Unë e them atë që e besoj dhe luftoj për të. Unë mendoj se të heshtësh është krim, sepse heshtja i ndihmon krimit në një mënyrë shumë mashtruese,” thotë ajo. 

Natyra e punës së saj kërkon që ajo të mos ekspozohet shumë në publik dhe të ketë rreth të kufizuar të miqve, por ajo është e kënaqur të jetë afër miqve dhe familjes.  

Me një baraspeshe mes punës së saj të përditshme dhe jetës private, Drita është shumë e organizuar. Asaj i pëlqen të frekuentojë palestrën tri herë në javë. “Palestra më rifreskon mendjen. I bënë mirë shëndetit mendor,” thekson ajo. Përmes largimit të presionit të punës qoftë në palestër apo gjatë ecjeve nëpër natyrë gjatë fundjavave, Drita ka mësuar që ta përqafojë mënyrën e saj të jetesës dhe do të vazhdojë të punojë çdo ditë me shumë zell, për një sundim më të mirë të ligjit në Kosovë.