European Union External Action
FacebookTwitterYoutube
Për EULEX Sektori Ekzekutiv Sektori i Fuqizimit Zyra për media Mundësi Punësimi Tenderët Kontakte
Search

Fillimi BreadCrumbTrailer Qendra informuese për çështje gjinore BreadCrumbTrailer Gratë në drejtësi

Agata Szymanska – Barazia gjinore – jo përse, por si

26 janar 2017

Hyn në restorantin Baba Ghanoush gjatë ndonjë dite të ftohtë në Prishtinë dhe do të gjesh ngrohtësi, ushqime vegjetariane, dhe shoqëri të zhytur në të qeshura rrëmbyese dhe të përzemërta. Aty do të mund ta gjeni edhe Agata Szymanska – personifikim i të gjitha këtyre cilësive, e cila punon si ushtruese e detyrës së këshilltares për çështje gjinore në EULEX Kosova. Megjithatë, po ta pyesësh për punën e saj në EULEX Kosova, atmosfera gazmore do të shndërrohet në serioze. Agata Szymanska është tejet pasionante për çështjet gjinore dhe e etur të flasë për njohuritë që ka.

Puna që Agata bënë, siguron që aktivitetet e Misionit të përgatiten në përputhje me standardet ndërkombëtare për barazi gjinore. Në pajtim me zotimin e Misionit për përfshirjen e çështjes gjinore në të gjitha aktivitetet e veta, në departamente të ndryshme është i inkorporuar një rrjet vullnetar, i përbërë prej 19 pikëve kontaktuese për çështje gjinore. Qëllimi i këtij rrjeti është zgjerimi i veprimtarisë së këshilltarit gjinor dhe zbatimi i perspektivës gjinore në njësitë përkatëse të Misionit.

Kur Szymanska filloi punën, EULEX-i ishte duke kaluar nëpër zvogëlime të konsiderueshme të numrit të punonjësve. Rrjeti kishte nevojë të fuqizohej në aspektin e anëtarëve të rinj dhe trajnimet e reja.  Përmes këtyre trajnimeve, pikët kontaktuese për çështje gjinore përvetësuan njohuri për kryerje të analizave gjinore në kuadër të mandatit të EULEX-it. 

“Një sërë projektesh të pikave kontaktuese për çështje gjinore kanë qenë rreth themelimit të sistemeve për grumbullimin e të dhënave të ndara sipas gjinive. Kjo na mundëson t’i analizojmë ato të dhëna dhe t’iu japim Misionit dhe autoriteteve vendore rekomandime rreth çështjeve gjinore”, thotë ajo.

Për të parë pjesë të tjera të Ballkanit, gjatë fundjavave Szymanska udhëton sa më shumë që mundet. Brenda një periudhe të shkurtë, ajo e ka vizituar Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ajo është e interesuar të vizitojë shtete të reja dhe t’i përjetojë tregimet e tyre unike, qoftë edhe vetëm për pak.

Nëse nuk është në ndonjë udhëtim, Agata praktikon joga dhe, kur ka kohë, i pëlqen të gatuajë. Por burimin kryesor të energjisë e gjen nga bisedat interesante me miq. “Disa prej atyre që i takova këtu më janë bërë miq shumë të mirë, nuk kam pritur që këtu në Kosovë të gjejë miq të përjetshëm, por ja se gjeta”, vijon ajo.

Agata ka prejardhje unike. Ajo është vajzë e lindur nga prindër polakë, dhe e shpërngulur në Suedi në një moshë të re. Diplomoi në Universitetin e Malmö në studime për paqe dhe konflikte, dhe studioi për politikat ndërkombëtare përmes një programi të shkëmbimit në Kore dhe më vonë në Vankuver. Agata zbuloi pasionin për analizimin e ngjarjeve ndërkombëtare nga perspektiva feministe.

“E pashë rëndësinë e perspektivës gjinore në analizimin e konflikteve”, thotë Szymanska. Ajo vazhdoi nivelin masters në Universitetin e Uppsala në fushën e studimeve euroaziatike, ku disa prej kolegëve nganjëherë bënin shaka se ajo nuk mundte pa e përmendur çështjen gjinore nëpër provime. “Ndikimi i konflikteve tek gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, është i ndryshëm, dhe perspektiva gjinore këtu siguron që nevojat e meshkujve dhe të femrave për sa i përket sigurisë trajtohen në mënyrë të përshtatshme”. Megjithatë, “nuk e kisha të qartë mënyrën e zbatimit të aftësive të çështjeve gjinore; edhe kjo është aftësi si gjitha të tjerat dhe merr kohë për t’u përvetësuar”, thotë Szymanska me një të qeshur të rezervuar, edhe pse e dinte shumë mirë se e kishte gjetur mënyrën.

Agata pastaj marshoi përpara dhe për disa vite punoi në Akademinë Folke Bernadotte, agjenci e qeverisë së Suedisë nën Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në departamentin ku punonte,  detyrat e saj renditeshin prej përgatitjes së trajnimeve për çështje gjinore për udhëheqësit brenda MPJ, deri tek lehtësimi i dialogjeve mes agjencive të ndryshme qeveritare. Ajo u ngrit në detyrë dhe u bë zyrtare për trajnime dhe projekte në Akademi, duke e hapur kështu një kapitull të ri me rolin e ushtrueses së detyrës së këshilltares për çështje gjinore në EULEX.

Edhe pse në EULEX qëndroi shkurt, Agata fitoi përshtypje të mëdha si personale ashtu edhe profesionale nga kolegët e saj. “Që kur fillova punën në Mision, unë mësova shumë gjëra të reja; kolegët më mësuan rreth misionit dhe i ndanë njohuritë e tyre me mua. Mësova shumë, por jeta në Mision po ashtu më dha mundësinë të punojë në mjedis shumë dinamik dhe shumëkulturor me disa prej njerëzve më inteligjentë nga vende të ndryshme të botës.”

Ndryshe prej gjurmëve në borë, gjurmët e Agatas mund të mbeten të pranishme deri në fund të mandatit të Misionit. Një prej kontributeve ka qenë përmirësimi i mekanizmit të raportimit mbi ngacmimet dhe sulmet e bazuara në gjini.

“Ndjehem krenare që e kam mundësuar një diskutim që do t’i përmirësojë mënyrat në të cilat Misioni i trajton këto çështje dhe që punonjësit t’i raportojnë ato raste”, vazhdon ajo, “megjithatë, zbatimi i mënyrave të reja kërkon punë në teren dhe kohë. Koha nuk ka qenë në anën time”, thekson ajo.

Nuk është diçka e pazakontë që këshilltarët për çështje gjinore të hasin në rezistencë. Megjithatë, Agata thotë se brenda Misionit shumë prej sugjerimeve të saj janë dëgjuar. Shpesh në trajnime asaj i bëhen pyetje rreth ndikimeve nganjëherë negative të kulturës së vendit mbi çështjet gjinore. Përgjigja e saj është e prerë:

 “Kultura e vendit asnjëherë nuk duhet të përdoret si arsyetim për të drejtën morale. Ka vlera të caktuara të cilat nuk janë për t’u diskutuar. Pabarazia gjinore shpeshherë arsyetohet me tradita, fe, apo lloje të caktuara të strukturave sociale. Njëkohësisht do të ishte naive të mendoje se të drejta universale të caktuara, siç është gjinia, mund të zbatohen pa i marrë parasysh zakonet e vendit. Këtu hyjnë strategjitë, avokimet dhe instrumentet e tjera. Të punosh për barazinë gjinore nuk ka të bëjë me pse, por me si”.

Agata shumë shpejt do të largohet nga Misioni, në pritje të një të ardhme të ndritshme. Rruga që e pret Agata Szymanska pritet t’i sjellë sfida të reja të cilat me buzëqeshje po i përqafon e lumtur.

Prapa

EULEX Kosovo © E drejta e autorit & Heqja e përgjegjësisë
Rr. Muharrem Fejza, Ndërtesa Farmed, P.O. Box: 268 10000 Pristina, Kosovo
Tel: +381 (0) 38 78 2000 Fax: +381 (0) 38 78 4556 :: info@eulex-kosovo.eu