Gratë në sundimin e ligjit

E pasionuar për sundimin e ligjit

26 maj 2016

Llogaridhënia, përgjegjësia dhe vendosmëria për të punuar, janë tiparet e jashtëzakonshme të Shkelqesa Ibrahimit, e cila punon për Prokurorinë Speciale të Kosovës si këshilltare për ekipin e prokurorëve ndërkombëtarë dhe vendës të cilët merren me raste të profilit të lartë.  

Shkelqesa kishte filluar punën në këtë mision shtatë vite më parë, duke ofruar këshilla ligjore për çështjet e ndryshme dhe të ndërlikuara nga e drejta materiale dhe procedurale. Ajo është e angazhuar vazhdimisht në punët e prokurorisë, si në rishikimin e provave, mbledhjen e informacionit paraprak për rastet dhe personat, si dhe ofrimin e këshillave ligjore për çështjet të cilat kërkojnë ekspertizë vendëse mbi juridiksionin.  

Angazhimi i saj si staf lokal në një fushë të ndjeshme të punës që kërkon profesionalizëm, vendosmëri dhe integritet nuk është punë e lehtë. Znj. Ibrahimi duke i pasur të gjitha këto aftësi, i kryen detyrat e saja ditore, kurse informacioni i ndjeshëm mbetet gjithmonë vetëm në zyrë.  

Kosova është një vend shumë i vogël  ku zakonisht njerëzit mund ta njohin njëri-tjetrin ose janë disi të lidhur, mirëpo znj. Ibrahimi kurrë nuk ka hasur në ndonjë sfidë gjatë kryerjes së detyrave të saj. Ajo është shumë e vetëdijshme për natyrën e ndjeshme që ka puna e saj, ndaj edhe është shumë e kujdesshme. 

“Puna që bëj unë mbetet në zyrë dhe gjithçka që ka të bëj me punën time përfundon në momentin kur dal nga zyra ime” thotë Shkelqesa. 

E pasionuar për sundimin e ligjit dhe duke besuar se vetëm sundimi i ligjit mund të krijojë një themel të fuqishëm për një shtet funksional, Shkelqesa i është përkushtuar edhe studimeve të saj për shumë vite. Aktualisht ajo është duke vazhduar me zhvillimin e vet profesional dhe është kandidate për doktoratë në fakultetin juridik në Prishtinë. Ajo është e vendosur se avokimi për sundimin e ligjit është elementi më i rëndësishëm i një shoqërie. Në jetën e përditshme, ajo mundohet të përkrahë drejtësinë përmes sjelljes së saj dhe vepron si shembull për ngritjen e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit.  

Puna e saj ditore si këshilltare ligjore përfshinë punën në raste penale shumë të rëndësishme dhe çështje ligjore jashtëzakonisht të ndërlikuara. Ofrimi i këshillave ligjore për prokurorë është detyrë me përgjegjësi të madhe, mirëpo Shkelqesa është e sigurt dhe e çmon lart bashkëpunimin e saj me prokurorët. 

Para se të fillonte punën në EULEX, Shkelqesa kishte punuar si këshilltare ligjore për misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Detyra e saj ishte që të ofronte këshilla ligjore dhe informacion paraprak për zgjidhjen e kontesteve pronësore. Rastet pronësore ishin dhe vazhdojnë të jenë çështje shumë delikate në shoqërinë e pasluftës në Kosovë. Përmes ndërmjetësimit dhe negociatave ajo e ka ndihmuar Drejtorinë për Çështje Pronësore-Banesore të Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e shumë kontesteve pronësore në Kosovë.  

Veç kësaj, puna e saj profesionale ka përfshirë edhe procesin e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë. Ajo ka ndihmuar në vlerësimin e biografive gjatë procesit të emërimit dhe riemërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndryshëm. Ky ishte një proces shumë i gjatë dhe sfidues për Kosovën, i cili Shkelqesën e pasuroi me një eksperiencë të fushave të ndryshme, duke përfshirë komunitetet dhe përkatësitë etnike të ndryshme.   

Përgjatë karrierës së saj, Shkelqesa ka punuar në fusha të ndryshme të sundimit të ligjit, ndërsa ekspertiza e saj është një aset i vlefshëm për procesin e ndërtimit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.  

Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova tani i ka institucionet e veta të drejtësisë, të cilat ende janë të brishta, por me ndihmën nga ekspertiza ndërkombëtare, e ardhmja duket të jetë e ndritshme. Shkelqesa thekson se e çmon punën e prokurorëve të EULEX-it në Kosovë. Ata vijnë me përvoja nga juridiksionet e ndryshme, ndërsa përpjekja e tyre për vendosjen e drejtësisë vlerësohet lart.     

Ajo është nënë e dy fëmijëve me të cilët kalon shumicën e kohës së lirë. Nuk është e lehtë të jesh një nënë me orar të plotë të punës, thotë Shkelqesa, meqë ajo shumë herë ndjehet fajtore që nuk ka mundësi t’u plotësojë nevojat fëmijëve të saj. Megjithatë, ajo thekson se zgjidhja drejt gjetjes së harmonisë mes punës dhe detyrave prindërore është planifikimi dhe fokusimi në planin e bërë.  

Ajo preferon që çdo minutë të kohës së lirë ta kalojë me fëmijët e saj. Duke qenë se fëmijët e saj janë duke u rritur, ajo gjen frymëzim që çdo ditë të kontribuojë për sistemin e drejtësisë së vendit të saj dhe kështu të krijojë një të ardhme më të mirë për të gjithë fëmijët e Kosovës sepse sipas saj këta fëmijë e meritojnë më të mirën.