Gratë në sundimin e ligjit

Zbatimi i të drejtave të njeriut në praktikë – njihuni me Heidi Lempiö

07 dhjetor 2015

Të drejtat e njeriut janë element esencial i zhvillimit të sistemit ligjor bashkëkohor. Ato po ashtu kanë qenë temë lidhëse e karrierës së Heidi Lempiö në fushën e drejtësisë.

Avokatja nga Finlanda, Heidi Lempiö, punon si zyrtare ligjore në Zyrën për të drejtat e njeriut dhe çështje ligjore pranë EULEX-it, ku puna e saj ka të bëjë me shqyrtimin e çështjeve të ndryshme ligjore që ndërlidhen me punën e Misionit. Përvoja e Heidit në fushën juridike është shumë e llojllojshme. Pas diplomimit nga fakulteti juridik i Universitetit të Helsinkit, Heidi mbajti një trajnim katërmbëdhjetë mujor për gjykatës në qytezën Mikkeli në pjesën lindore të Finlandës. Detyra e saj e radhës ishte zëvendësimi i një këshilltari ligjor ushtarak në komandën e ushtrisë së Finlandës. Përvojën në departamentin ligjor të ushtrisë Heidi e pa si diçka të mrekullueshme: “Departamenti ligjor i komandës së ushtrisë merrej me një varg të gjerë të çështjeve juridike. Aty përfshihej çdo gjë, nga e drejta mjedisore deri te parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, kontratat komerciale, rastet disiplinore dhe penale ushtarake, si dhe komentime të projektligjeve dhe mbajtje të trajnimeve ligjore për ushtarët.” Asaj i pëlqeu puna në ushtri dhe rrjedhimisht ushtroi detyra të ngjashme për Komandën e Forcave Ajrore të Finlandës dhe Selinë e Rojave Kufitare. 

Heidit gjithnjë i ka pëlqyer të punojë jashtë vendit, dhe i duket vetja paksa si nomade. Ajo ka jetuar në disa shtete të ndryshme, si në Republikën Dominikane, në Francë, Spanjë, dhe flet rrjedhshëm gjuhën finlandeze, angleze, spanjishte, dhe gjuhën frënge. Por, Heidit nuk i pëlqen të udhëtojë vetëm sa për të parë vende të reja. Për të ka rëndësi që të qëndrojë aq gjatë sa për të njohur vërtetë vendin dhe kulturën e tij. 

Në vitin 2011, Heidi u punësua si ndihmëse finlandeze e avokatit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.  “Shkuarja në Strasburg për të punuar në gjykatë ishte si një ëndërr e realizuar, meqë unë gjithnjë kam qenë në veçanti e interesuar për të drejtën ndërkombëtare si dhe atë evropiane, dhe posaçërisht për të drejtat e njeriut.” Të drejtat e njeriut kanë luajtur rol të rëndësishëm në karrierën e Heidit që nga fillimi, ku për temën e studimeve të magjistraturës, ajo ka shtjelluar Rregulloret e BE-së për azilin në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Përqendrimi i Heidit në të drejtat e njeriut rrjedh nga interesimi i saj i kamotshëm në çështjet sociale dhe zhvillimin ndërkombëtar. Ajo ka një bindje të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve më të dobët të shoqërisë. Gjatë studimeve dhe karrierës së saj në fushën e drejtësisë, këto brenga janë rafinuar në përvojë profesionale për zbatimin e të drejtave të njeriut në praktikë. 

Përvoja e Heidit në ushtri dhe në punë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut e kanë shpjerë atë në EULEX. Heidi erdhi në Kosovë në shkurt të vitit 2014 pa pasur shumë njohuri rreth vendit, por me një motivim të fuqishëm për të mësuar dhe për t’i kontribuar zhvillimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Puna e shumëllojshme e Heidit në EULEX kryesisht përbëhet prej dhënies së këshillave rreth çështjeve ligjore. ”Ne merremi me lloje të ndryshme të çështjeve ligjore që ndërlidhen me mandatin tonë, statusin tonë ligjor, praktikat më të mira evropiane, të drejtat e njeriut, privilegjet dhe imunitetet e punonjësve, kodin e sjelljes, dhe procedurat disiplinore.” 

Sipas Heidit, një prej kushteve themelore për zhvillimin e një sistemi funksional të sundimit të ligjit është që institucionet shtetërore përgjegjëse t’i respektojnë standardet e të drejtave të njeriut në punën e tyre të përditshme. Ato standarde janë relevante si për cilësinë e ligjeve, ashtu edhe për zbatimin e ligjeve. Kjo anë më praktike e ndarjes së drejtësisë është vendi ku Heidi është e dalluar. “Më duhet të them se më mirë qëndroj me çështjet juridike praktike, sesa me konceptet abstrakte, siç është hartimi i ligjeve.”

Në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Heidi është optimiste. Megjithatë, ajo thekson se ende mbeten shumë punë për t’u bërë, në veçanti tek funksionimi themelor i sistemit juridik. Sipas saj, ai sistem juridik që i kryen detyrat e veta me efikasitet dhe paanshmëri është baza themelore e të drejtave të njeriut. Të drejtat e femrave dhe pakicave është fushë tjetër ku Heidi sheh vend për përmirësim. “Zhvillimi është i ngadalshëm, dhe me siguri se nevojitet një ndërrim gjenerate, por ka hapa pozitiv të vegjël. Për shembull, mund ta përmend përqendrimin e kohëve të fundit që i është dedikuar dhunës seksuale që ka ndodhur gjatë konfliktit, dhe dënimet që mund të rezultojnë.”

Një aspekt tjetër i rëndësishëm për zhvillimin e të drejtave të njeriut është arsimimi. Heidi merr pjesë në aktivitetet monitoruese, mentoruese dhe këshilluese të divizionit të EULEX-it për fuqizim, përmes mentorimit të dy zyrtarëve ligjorë të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës, dhe mbajtjes së trajnimeve për ta. Përvojat e Heidit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg janë tejet të çmueshme në detyrat e saj mentoruese, meqë ato i ndihmojnë të kuptojë se si duhet të merren parasysh standardet për të drejtat e njeriut në aspektin e punës juridike. 

Në përgjithësi, jeta në Kosovë ka qenë interesante për Heidin, dhe ajo ka patur përvoja pozitive si dhe negative. Ajo është ndjerë e mirëpritur nga vendasit, dhe e çmon lart miqësinë e tyre. Në anën negative, Heidi e përmend ndotjen dhe mbeturinat – çka e neveritin atë si dashamirëse e natyrës. Kur Heidi vendos që të kalojë në sfida të tjera, ajo kryesisht i merr kujtimet e mira me vete. “Kujtimet e njerëzve të dashur që i kam takuar, peizazhet e bukura që i kam parë, ushqimet e shijshme që i kam shijuar, por edhe pamjet qesharake, si ato të lopëve gjersa kullotnin afër selisë së EULEX-it, veturat e parkuara në rreth-rrotullime, apo shitësit e perimeve që e bllokojnë rrugën me një mal me lakra – këto pamje janë aq unike dhe karakteristike dhe kujtime të këndshme nga Kosova!”