Lajme

EULEX-i dhe Policia e Mbretërisë së bashkuar në Lincolnshire realizojnë një kurs mbi komandimin fleksibil për Policinë e Kosovës

11 maj 2018

EULEX-i në bashkëpunim me Policinë Rajonale të Mbretërisë së Bashkuar, Policia në Lincolnshire, janë duke e mbajtur një kurs mbi Komandimin fleksibil në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Qëllimi i këtij kursi 8 ditor është që t'i ofrojë Komandës së Policisë së Kosovës mundësinë për t’i shtuar aftësitë dhe ekspertizën e tyre të tanishme për t’u marrë me ngjarje që kërkojnë planifikim të duhur të rendit dhe sigurisë publike.

Si pjesë e këtij kursi, trajnimi do të fokusohet në përcaktimin e politikave, protokolleve të komandës, aplikimin e parametrave taktikë, modelin e vendim-marrjes në bazë të drejtave të njeriut, ndikimit në komunitetit, strategjinë për media, punën në partneritetit dhe proceset e raportimit.

Mark Dixon, Menaxheri i Programit dhe Shef i NJKPMK, tha se ideja e këtij kursi është që të rriten kapacitetet ekzistuese të PK-së duke e analizuar modelin e policisë së Mbretërisë së Bashkuar për ngjarjet ose incidentet publike. "Shpresojmë që Policia e Kosovës do të mësojë nga këto praktika të mira dhe pastaj t'i aplikojë këto praktika në kontekstin e punës policore në Kosovë. Natyra e sfidave të sigurisë për policinë janë duke ndryshuar gjithnjë, ndërsa agjencitë e ngarkuara me luftimin e këtyre aspekteve të pasigurisë duhet të adaptohen ashtu që të mund të reagojnë në mënyrë efektive”.

Këtë kurs janë duke e ndjekur tridhjetë oficerë të Policisë së Kosovës nga të tri nivelet komanduese në Policinë e Kosovës.

Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të bëjnë studimin e rasteve të ngjarjeve të rëndësishme dhe do të marrin pjesë në diskutime me kolegët e tyre dhe trajnerët për të ndarë përvojat dhe njohuritë e tyre për mënyrat se si të menaxhohen më mirë ngjarjet dhe incidentet publike të planifikuara dhe ato spontane.

Nënkoloneli Akrem Racaj, Drejtori i trajnimeve të specializuara në Policinë e Kosovës e theksoi vlerën e pjesëmarrjes në këtë trajnim.

"Ky kurs na ofron një mundësi të jashtëzakonshme për t’i krahasuar nivelet e ndryshme të komandës dhe funksionet e tyre dhe se si mund të aplikohen ato në Policinë e Kosovës. Kështu kjo na ndihmon që ne t’i zhvillojmë aktivitetet tona komanduese dhe t’i forcojmë kapacitetet tona për menaxhimin efektiv ashtu që të jemi sa më profesionalë dhe efikas".

Nënkoloneli Racaj e falënderoi policinë e EULEX dhe atë të Lincolnshire që patën mundësinë ta organizojnë këtë trajnim që i është dedikuar posaçërisht stafit komandues dhe që i ka mundësuar Policisë së Kosovës që të mësojnë nga përvojat e modelit të policisë së Mbretërisë së Bashkuar.

"Në të ardhmen, ne planifikojmë që këto përvoja t’i zbatojmë në praktikë edhe më shumë dhe të përshtatim atë që e kemi mësuar për t’i trajnuar dhe përcjellë tek kolegët tanë në nivelet drejtuese të Policisë së Kosovës", tha Akrem Racaj. 

Këtë trajnim janë duke e zhvilluar katër ekspertë të Mbretërisë së Bashkuar; secili prej tyre ka aftësi të specializuara në lidhje me fleksibilitetin e komandës që përfshin planifikimin strategjik, funksionalitetin operacional, planifikimin e partneritetit emergjent dhe të paparashikueshëm, si dhe koordinimin e sigurisë kundër terrorizmit. 

Ndihmësi i Shefit të Policisë West, njëri nga anëtarët e ekipit trajnues tha: "Ne vërtetë jemi të kënaqur që kemi mundësinë të ndajmë disa nga përvojat dhe njohuritë që i kemi dhe i përdorim ne në Lincolnshire me Policinë e Kosovës, veçanërisht në fushat si siguria publike dhe rendi publik. Kjo është gjithashtu një mundësi edhe për ne që të mësojmë, pa dyshim që ka fusha të punës praktike për të cilat mësojmë edhe ne këtu, e të cilat mund t’i marrim me vete dhe t’i shqyrtojmë se si mund të funksionojnë ato këtu për ne në Lincolnshire".

Duke ripërsëritur më tej, ai tha "ne jemi jashtëzakonisht krenarë që kemi mundësi të ndihmojmë me anë të realizimit të këtij lloji të trajnimit, i cili shpresojmë se do të sjellë ndryshime në një vend që ka pësuar tmerrësisht nga konflikti".

Ky kurs trajnimi është pjesë e angazhimeve të përgjithshme të EULEX-it për ta mbështetur Policinë e Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve komanduese institucionale më të qëndrueshme dhe efektive.