Lajme

EULEX-i organizoi një punëtori për fuqizimin e kapaciteteve hetuese penale kundër korrupsionit

13 prill 2018

Misioni EULEX e organizoi një punëtori trajnuese për fuqizimin e kapaciteteve hetuese penale kundër korrupsionit për partnerët e drejtësisë penale vendase.

Në fokus të punëtorisë që u mbajt javën e kaluar ishte rritja e kapacitetit të prokurorëve vendas për të punuar së bashku me policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në Mitrovicë. Kjo punëtori do t’i pajisë prokurorët dhe partnerët vendas në kuadër të drejtësisë penale që ndodhen në veri të Kosovës (Mitrovicë) me aftësitë dhe strategjitë për ta mbështetur menaxhimin e rasteve të korrupsionit dhe veprave që lidhen me të.

"Duke u bazuar në punën e Prokurorisë së EULEX-it në Mitrovicë në kuadër të mandatit të këtij misioni, ky projekt ka për qëllim që ta forcojë rolin e partnerëve të drejtësisë penale në rajon për të bashkëpunuar në luftën kundër korrupsionit dhe veprave që lidhen me të duke siguruar më shumë vëmendje në  pronësinë e rasteve, menaxhimin e fuqishëm të lëndëve dhe përputhshmërinë e plotë me ligjin gjatë të gjitha fazave të hetimeve penale ", tha Oladele Osinuga, zyrtar ligjor ndërkombëtar i EULEX-it në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe menaxher i projektit të trajnimit.

Gjatë kësaj dite pjesëmarrësit morën pjesë në një sesion hyrës, një bashkëbisedim për strategjitë kundër korrupsionit, prezantimet në grupe punuese dhe e përfunduan me një sesion përmbyllës duke dhënë komentet e tyre.

"Sot, kjo punëtori ishte një mundësi e dobishme për të diskutuar lidhur me problemet e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se si të integrohen strategjitë në veri të Kosovës. Shërbimi financiar ka një pasqyrë më të mirë dhe ka fituar përvoja që mund t’i përdorë në të gjitha angazhimet e ardhshme. Në përgjithësi, të gjitha njësitë që merren me sundimin e ligjit përfitojnë nga trajnimet për hetimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ", tha Katarina Ađančić, hetuese në Zyrën Rajonale të Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë.

Strategjitë e mësuara në këtë punëtori mund të integrohen në planet e zbatimit të partnerëve të Shërbimit të Drejtësisë Penale në Prokurorinë Themelore, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, Administratën Tatimore, Doganë, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

"Dita e sotme ishte e suksesshme për agjencitë e zbatimit të ligjit, sepse patëm rastin që të shkëmbejmë informacione dhe të diskutojmë një rast studimor që ka të bëjë me Kosovën. Ne e falënderojmë EULEX-in për këtë mundësi dhe do ta shfrytëzojmë këtë përvojë në punën tonë me agjencitë e ndryshme të zbatimit të ligjit që veprojnë në Kosovë ", tha Rreshteri Senad Zejnullahu, Hetues i Njësisë kundër Krimeve Ekonomike, Financiare dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Ky seminari është pjesë e kontributit të përgjithshëm për dialogun që është duke vazhduar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në fushën e integrimit gjyqësor, prioritetizimin e rasteve dhe bashkëpunimin për rastet e ndjeshme.