Lajme

Punëtori e organizuar nga EULEX/OSBE me temë transparenca në gjyqësor

18 tetor 2016

Javën e kaluar, Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Kosovë organizuan një punëtori dyditore me qëllim themelimin e dialogut mes mediave dhe institucioneve të sundimit të ligjit në fushën e transparencës në procedurat gjyqësore. Punëtoria me titullin “Raportimi rreth drejtësisë: Udhërrëfyes rreth proceseve gjyqësore për gazetarët dhe zëdhënësit në Kosovë,” mblodhi gazetarë, zëdhënës të gjykatave të Kosovës, dhe punonjës të lartë të EULEX-it, gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe përfaqësues nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews. Punëtoria u përqendrua në hapat që mediat dhe profesionistët ligjorë duhet t’i ndërmarrin për të siguruar besimin e qytetarëve në punën e gjyqësorit.

Dane Koruga, Shef i Sektorit për Media në Misionin e OSBE-së në Kosovë, tha se punëtoria është organizuar me qëllim të themelimit të dialogut të vazhdueshëm dhe fuqizimit të linjave të komunikimit mes mediave dhe institucioneve të sundimit të ligjit. Ai shtoi: “Ne synojmë të theksojmë nocionin e përgjegjësisë së përbashkët për të siguruar që qytetarët të informohen në mënyrë objektive dhe të saktë, si dhe të promovohet transparenca e sistemit të drejtësisë.”

Sipas Jaroslava Novotna, Udhëheqëse e Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, besimi i qytetarëve në gjykata është element jetik i shoqërive demokratike. Gjatë prezantimit që bëri, ajo theksoi nevojën për gjetjen e baraspeshës mes të drejtave për privatësinë e atyre që janë të përfshirë në procese gjyqësore dhe interesave të qytetarëve. 

Ajo po ashtu u përqendrua në standardet e aplikueshme në rastin e dhënies së informatave publike gjatë procedurave penale, duke i pasur parasysh rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe Deklaratën e Bordosë mbi rolin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe angazhimin e tyre me publikun. 

 

Malcolm Simmons, Kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, tha: “Shtypi i lirë dhe gjyqësori i pavarur duhet të punojnë së bashku për fuqizimin e shoqërisë së zotuar për sundim të ligjit. Nuk mund të ketë sundim të ligjit pa drejtësi të hapur dhe besim të qytetarëve në gjyqësor. Mediat janë mjet thelbësor për ruajtjen e besimit të qytetarëve.” Ai po ashtu e ritheksoi nevojën që institucionet e Kosovës për sundim të ligjit dhe mediat të ngritin një sërë parimesh për ruajtjen e rolit të mediave dhe të gjykatave në procedurat gjyqësore.  

Prokurori i EULEX-it Danilo Ceccarelli u përqendrua në transparencën e aktakuzave dhe hetimeve që janë në vazhdim e sipër, çka nxiti debat nëse aktakuzat duhet të bëhen publike dhe nëse publikimi i emrave të plotë të të pandehurve përbën shkelje të privatësisë së tyre.

Dr. Katja Dominik, gjyqtare nga EULEX-i, dha një prezantim të përgjithshëm të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, duke e përkufizuar procedurën penale si metodë për zbulimin e së vërtetës. Në këtë kontekst, sipas Dr. Dominik, procedurat ligjore duhet të merren me fakte objektive, qëllime subjektive, pyetje të përgjegjësisë dhe fajit dhe vlerësimin e këtij të fundit.

Për gazetarët dhe zëdhënësit nga sektori i drejtësisë kjo punëtori ishte shumë informative dhe, çka është më e rëndësishmja, ata konfirmuan nevojën e vërtetë që mes palëve të ketë komunikim më të mirë dhe më të shpeshtë. 

BIRN dhe Internews e udhëhoqën ditën e dytë të trajnimit praktik me sugjerime dhe këshilla për raportim të avancuar gjyqësor. Përveç kësaj, z. Faik Ispahiu nga Internews e moderoi debatin ku gazetarët dhe zëdhënësit patën për detyrë të dalin me pesë rekomandime kyçe për palën tjetër në lidhje me temën e transparencës së gjyqësorit. 

Gazetarët theksuan se zëdhënësit duhet t’i vetëdijësojnë më shumë gjyqtarët/prokurorët në lidhje me transparencën, t’i marrin gazetarët me seriozitet (përfshirë gazetarët e rinj në moshë), të ofrojnë faqe të internetit funksionale me orare të sakta të gjykatave, të japin qasje të plotë dhe me kohë në aktakuzat zyrtare, dhe t’i publikojnë emrat e plotë të personave të përfshirë në rastet që janë të hapura për publikun.

Rekomandimet kyçe nga zëdhënësit drejtuar gazetarëve përfshinë raportimin e saktë, dhënien e kohës së mjaftueshme për marrje të përgjigjeve, marrjen e informatave themelore rreth ligjeve dhe rregulloreve, mos hezitimin e kontaktimit të zëdhënësve në çfarëdo kohe kur nevojiten informata, dhe të kontaktohen zëdhënësit, jo drejtpërdrejtë udhëheqësit e gjykatave/prokurorive.

Pas kësaj iniciative të parë dhe rezultateve pozitive të arritura, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe EULEX-i planifikojnë të vazhdojnë me themelimin e komunikimit mes gazetarëve dhe institucioneve të drejtësisë përmes seminareve të ngjashme gjatë muajve në vijim.

Për të parë videon shtypni më poshtë: