Lajme

PL Federica Mogherini me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut

10 dhjetor 2015

Këtë vit, në ditën e të drejtave të njeriut Kombet e Bashkuara fillojnë festimin një-vjeçar të përvjetorit të pesëdhjetë të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (KNDCP) dhe të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (KNDESK), të nënshkruara më 1966.

Këto dy traktate thelbësore i shpalosin të drejtat civile, politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të cilat ju përkasin qenieve njerëzore nga lindja e tyre dhe gjatë gjithë jetës së tyre dhe e kanë ndryshuar fatin e shumë njerëzve.

Përkundrejt historikut të sfidave aktuale gjithnjë e më të mëdha ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe në kontekst të krizës ekonomike globale, të varfërisë dhe pabarazive në rritje, këto traktate mbesin themeli i punës së BE-së në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive thelbësore dhe janë baza jetike ndërkombëtare ligjore për gjithanshmërinë, pandashmërinë dhe ndërlidhjen e tyre.

Plani i ri i Veprimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, të cilin e ka aprovuar BE-ja korrikun e kaluar, i jep rëndësi të barabartë të gjitha atyre të drejtave dhe angazhohet t’i promovojë ato dhe ta sigurojë zbatimin e tyre për të gjithë, përmes veprimeve konkrete. Për më tepër, BE-ja është e përkushtuar si gjithmonë t’iu ndihmojë organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë për të avokuar lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, qoftë atyre civile dhe politike apo shoqërore, ekonomike dhe kulturore. BE në vazhdimësi i mbështet mbrojtësit e të drejtave të njeriut anembanë botës; dhe vetë BE-ja është shembull bindës i dobive që dalin nga shoqëria energjike civile.

Rrjeti ynë i delegacioneve të BE-së dhe i ambasadave të shteteve anëtare të BE-së anembanë botës, Përfaqësuesi Special i BE-së për të Drejta të Njeriut Stavros Lambrinidis dhe ekipet tona në kryeqytetet e BE-së, i bashkojnë forcat sot për ta festuar Ditën e të Drejtave të Njeriut dhe do të vazhdojnë të avokojnë, t’i mbrojnë dhe t’i promovojnë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës ku ato janë në rrezik.