Lajme

Një grup nga Forumi për Lidership dhe Diplomaci vizitojnë EULEX-in

02 mars 2021

Më 1 mars, një grup aktiv dhe i diversifikuar nga OJQ Forumi për Lidership dhe Diplomaci erdhën për vizitë studimore në selinë e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Misioni kishte përgatitur një program të përshtatur për studentët dhe iu dha atyre mundësinë që të mësonin dhe diskutonin për tema të ndryshme, siç ishin qasja në drejtësi dhe sistemi i drejtësisë së Kosovës, rastet e dhunës në bazë gjinore dhe mekanizmat e raportimit, të drejtat e njeriut si dhe të drejtat pronësore.

Gjatë kësaj vizite para studentëve po ashtu u dha një prezantim mbi aftësitë praktike për përgatitjen e aplikacioneve për punë në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast studentët patën mundësinë që të bënin pyetje të shumta të dobishme dhe të merrnin këshilla rreth përgatitjes së aplikacioneve të suksesshme për punë.

Përmes ushtrimeve të drejtpërdrejta, interaktive dhe përfshirëse në fushën e aftësive komunikuese, studentët patën mundësinë e praktikimit të aftësive të tyre të prezantimit dhe të identifikonin fushat në të cilat atyre iu duhet më shumë punë me rastin e komunikimit me kolegët dhe audiencat e tyre.

Vizita studimore u përmbyll me një diskutim përfshirës me Shefin tonë të Misionit, Lars-Gunnar Wigemark, i cili foli për rrugëtimin e tij personal në karrierë dhe u dha studentëve mundësinë e diskutimit të temave të ndryshme, përfshirë për shqetësimet dhe shpresat e tyre për të ardhmen.