Lajme

Mesazhi nga Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë Fund Mosndëshkimit për Krimet kundër Gazetarëve​

02 nëntor 2020

“Sot ne i nderojmë gazetarët që u vranë ose janë sulmuar gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Asnjë gazetar nuk duhet të ekspozohet ndaj kërcënimeve dhe të detyrohet të heshtë. Kosova ka një mjedis mediatik të gjallë, prandaj kërcënimet ose frikësimet nuk kanë vend në një shoqëri demokratike. Kjo është arsyeja pse unë u bëj thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të Kosovës që t’i hetojnë, ndjekin penalisht dhe ndëshkojnë me kohë dhe në hollësi të gjitha kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve. Mosndëshkimi sjell më shumë dhunë dhe e zvogëlon hapësirën për gazetari të lirë duke krijuar frikë dhe vetë-censurë. Duke i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve e rrit besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe u mundëson gazetarët që t’i kryejnë detyrat e tyre pa frikë.

Një pjesë më pak e dukshme e punës sonë si Mision i Sundimit të Ligjit në Kosovë është monitorimi nga afër i rasteve ligjore të sulmeve kundër gazetarëve të trajtuara nga Policia e Kosovës, prokuroritë e Kosovës dhe gjykatat e Kosovës. Ky është një nga kontributet tona në kërkim të së vërtetës.

Në këtë ditë, ne gjithashtu u bëjmë nderime gazetarëve që u zhdukën, u rrëmbyen ose u vranë gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë. Si Mision, ne nuk e kemi më mandatin për t’i hetuar ose ndjekur penalisht këto raste, por ekspertët tanë vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët tanë vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ta përcaktuar fatin e më shumë se 1640 personave të pagjetur, përfshirë një numër të gazetarëve. ”

Lars-Gunnar Wigemark

Shef i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë

Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë Fund Mosndëshkimit për Krimet kundër Gazetarëve​