Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Deklaratë nga Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së dhe EULEX-i mbi procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit

25 gusht 2017

“Pas përsëritjes së fundit të procesit të votimit për kryetarët e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian dhe EULEX-i kanë bërë këtë deklaratë:

Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi procesin e mëparshëm të përzgjedhjes, konstatoi se mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita. Për të adresuar shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese, BE-ja së bashku me partnerë të tjerë ka punuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të avancuar procedurën e përzgjedhjes dhe në këtë drejtim mirëpret përmirësimet e bëra në legjislacionin përkatës të Këshillit.

Megjithatë, nga vëzhgimi i procesit të përzgjedhjes, BE-ja për fat të keq ka vërejtur se përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur.

Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane.

Zyra e Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe EULEX-i do të vazhdojnë t'i ndjekin këto procese nga afër dhe mbeten të angazhuar për të investuar burime të rëndësishme për të ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit."